Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi rënien e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit si shqetësuese, por theksoi se, sipas tij, përgjegjësia nuk qëndron te qeveria, por te vetë mediat.
Kurti foli për herë të parë pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, sipas të cilit Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete – njëzet e katër pozita më poshtë se vitin e kaluar.
“Është për keqardhje rënia e thellë në indeksin e medias. Në Kosovë ka liri të shprehjes dhe liri të mediave, jam dëshmitar i kësaj nga përvoja dhe jeta këtu. Rënia në indeks është një kontradiktë me realitetin që jetojmë – dhe këtë kontradiktë duhet ta përmirësojnë vetë mediat”, u shpreh Kurti të shtunën gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai shtoi se, ndryshe nga qeveritë e kaluara, qeveria e tij nuk ka asnjë pronar mediash në radhët e saj, duke theksuar se raportet e pushtetit me mediat janë të distancuara dhe profesionale.
“Në Kosovë, mediat janë të lira. Rënia e tyre nuk është pasojë e kontrollit nga qeveria, por e ndikimit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizmit. Ne e konsiderojmë median si një pasuri të shoqërisë, por edhe vetë media duhet ta trajtojë profesionin si një detyrë”, deklaroi Kurti