Si çdo vit, edhe këtë 7 mars mësimdhënësit e dalluar të komunave u mblodhën në kryeqytet. Fjalë mirënjohjeje për ta tha ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila vlerësoi punën e palodhshme të punëtorëve të arsimit, pavarësisht sfidave me të cilat përballen.
“Për mësuesit ka shumë emërtime, i quajnë edukator, mentor, instruktor, mësues, arsimtar, mësimdhënës e shumë shpesh edhe prind i dytë, dhe të gjitha këto qëndrojnë e janë të merituara, sepse ndikimi juaj në jetën e fëmijëve shkon përtej klasës dhe shkollës, bëhet pjesë e pandashme e zhvillimit të shoqërisë sonë”, tha Nagavci.
Në këtë ceremoni, e para e arsimit ndau çmimin për mësuesin e vitit “Shaban Jashari”, të cilin e mori Shaip Krasniqi, mësimdhënës në shkollën “Naim Frashëri” të Brezhnicë së Obiliqit.
Ai ka falënderuar stafin e shkollës që ka arritur deri te ky çmim. “Këta kanë qenë shtysë dhe shkaktar që unë të konkurroj për çmimin ‘Shaban Jashari’. Këtë çmim dua ta ndajë me nxënësit dhe kolektivin e shkollës ‘Naim Frashëri’ ”, tha ai.
Nagavci ndau edhe mirënjohje për 30 mësimdhënësit e dalluar, duke uruar edhe festën e 7 marsit, Ditën e Mësuesit.


