Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj ka uruar mësimdhënësit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, teksa ka kritikuar qeverinë për mos krijim të kushteve më të mira në arsim.
“Dita e Mësuesit dhe shkollës shqipe është një nga datat e veçanta të kombit tonë sepse na kthen kujtesën te sakrificat sublime, te atdhetarët e shumtë, që edhe kombi ynë ta mësojë e kultivojë gjuhën, kulturën, historinë e artin kombëtar. Kjo datë sjell emocione të veçanta në Kosovë sepse rrugëtimi i arsimit dhe shkollës shqipe u përball me shumë sulme e furtuna të pushtuesit”, ka thënë Jasharaj përmes një deklarate me shkrim për media.
Ai e ka vlerësuar pjesë të lavdishme të arsimit vitet e 90-ta kur punëtorët e arsimit duke bërë sakrifica sublime mbrojtën arsimin shqip.
“Urime dhe respekt në këtë ditë të madhe të mësuesit dhe shkollës shqipe për të gjithë pishtarëve dijes që nëpër vite e dekada vazhduan misionin e shenjtë të edukimit të brezave”, ka shtuar Jasharaj.
Ai më pas ka kritikuar kryeministrin Kurti, ministrin Murati dh ministren Nagavci.
“Ata sollën zhgënjim me ligjin e pagave dhe shtuan shumë pakënaqësitë me rritjen ironike të koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro e jo sa ishte kërkesat e arsyeshme e jona që koeficienti të
kishte vlerë se paku 130 euro. Ata po prekin në emër të ndryshimeve e plotësimit të ligjeve në të drejtat e fituara duke vështirësuar jetën e punëtorëve të arsimit e veçmas të pensionistëve”, ka nënvizuar Jasharaj.
Sipas Jasharajt qeveria po i ik dialogut për ta dëgjuar zërin e mësimdhënësve.


