Në New York po mbahet seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, me kërkesë të Serbisë, pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Në këtë seancë Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwartz.
Ndërsa, Serbia përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
Serbia e bëri kërkesën për këtë seancë pas vendimeve të autoriteteve kosovare për ndalimin e dinarit serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe javët e fundit.
Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.
Kjo rregullore parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Valutën kombëtare të Serbisë, serbët në Kosovë e kanë përdorur që nga përfundimi i luftës më 1999.
Po ashtu, Serbia ua paguan qytetarëve serbë të Kosovës, përmes një sistemi paralele, pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera.


