Albin Kurti per ngushellime te familja e Lulzim Fejzullahut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçlën, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, kanë shkuar për ngushëllime tek familja e 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu që u vra në Podujevë.
Lulzim Fejzullahu ka vdekur të shtunën e 20 janarit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku po trajtohej pasi ishte goditur me veturë e rrahur brutalisht për vdekje nga dy të dyshuar më 14 janar.
Të miturit A.A dhe E.K dyshohen për vrasje të rëndë dhe janë dërguar në paraburgim.
Ndërkohë Xhaxhai i Lulzimit ka rrëfyer versionin e tij se si nisi zënka, dhe si u rrah brutalisht për vdekje nipi i tij.
Sipas tij sherri në mes të Lulzim Fejzullahut dhe dy të miturve, dyshohet se nisi te berberi.
Me viktimën të miturit u takuan një ditë pas zënkës, më 14 janar rreth orës 12:00 në mesditë.
“Dyshohet që 18 vjeçari Lulzim Fejzullahu kishte dalur në marketin e lagjes dhe me të parë që dy persona po e përcjellin me një veturë të tipit “Golf 6″, filloi të ik në këtë rrugë. Të njëjtit persona e goditën e veturë pikërisht para kësaj shtëpie dhe e lanë të shtrirë në tokë.”
Pas kësaj dy të miturit dolën nga vetura.
“Pasi që e kanë rrëzuar me veturë i kanë hy me shipka bejsbolli dy persona, njëri ka sjellë me shkelma (me këmbë) e grushta e tjetri ka sjellë me shipkë (shkop) deri në alivanosje, e kemi dërguar në spital s’ka pasur shenja të përmirësimit dje edhe ka ndërru jetë në orën 15:20 pasdite”, tha Xhaxhai i 18 vjeçarit, Rrahim Fejzullahu.
Fejzullahu tregon se nipi kishte mbetur i shtrirë në tokë.
“Pasi që e kanë alivanosur, i kanë sjell sa ka qenë i shtrirë, shipka (shkopinj) të bejsbollit në kokë, asnjë shenjë djali nuk e ka pasur në trup përpos në kokë. Gjakderdhje edhe për veshëve, kafkën e kokës ia kanë thy, kafkën e krejës ia kanë thy me stupca (shkopa)”, u shpreh Fejzullahu.


