Avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi ka njoftuar se do të jetë përfaqësues juridik i Rrahim Fejzullaut – xhaxhait të 18-vjeçarit që ditë më parë u vra në Podujevë.
Gashi tha se sot ka dorëzuar autorizimin në Prokurori, Gjykatë dhe IPK.
“Tani po presim përgjigje nga këto inistitucione. Familja e Lulit kërkon drejtësi”, shkroi ai në rrjetin social Facebook.
Autoritetet e drejtësisë kanë thënë se Lulzim Fejzullahu, 18 vjeç, ka vdekur më 20 janar si pasojë e një përleshjeje fizike më 14 janar, dhe për pasojë dy të mitur e kanë goditur me shkop në kokë viktimën.
Viktima është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku më pas ka vdekur.
Policia i ka ndaluar dy të dyshuarit, ndërsa Prokuroria Themelore të Prishtinë ka nisur rast ndaj tyre, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “Vrasje në tentativë”.
Të dy janë në paraburgim.
Rastin e kanë dënuar krerët e institucioneve qendrore dhe ato komunale, ndërsa u kanë shprehur ngushëllime familjarëve.
Ky rast është dënuar gjerësisht edhe në rrjetet sociale, dhe janë bërë kritika për publikim të incizimeve të përleshjes që ka çuar në vrasjen e Fejzullahut.
Disa kanë thënë se publikime të tilla normalizojnë dhunën në shoqëri.


