Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dalë me sqarim për mbeturinat e mbledhura në vendin ku është vendosur gurthemeli i çerdhes në Batllavë të Podujevës.
MASHTI ka thënë se nuk bëhet fjalë për asnjë mashtrim, ndërsa punimet do të fillojnë së shpejti.
“Operatori Ekonomik na ka informuar se për shkaqe subjektive, deri më tani nuk ka mundur të fillojë me punime dhe se punimet do të fillojnë së shpejti. Objekti i çerdhes do të ndërtohet në vendin e caktuar tashmë nga Komuna e Podujevës. Investimi në projektimin dhe ndërtimin e kësaj çerdheje është nga MASHTI, bazuar në kontratën e nënshkruar në korrik të vitit të kaluar me Operatorin Ekonomik ‘Hidro Project’, në kohëzgjatje prej tri vitesh”, thuhet në reagimin e MASHTI-t.
Më tej thuhet se Divizioni për Zbatimin e Projekteve është duke e përcjellë me vëmendje implementimin e kontratës dhe në rast të zvarritjeve në punime do të ndërmerren masa ligjore.
Pas më shumë se një muaj që kur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e shfaqi si sukses vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e çerdhes në Batllavë të Podujevës, as një punim nuk është bërë. Vendi është shndërruar në deponi të mbeturinave. Në ministri nuk dhanë arsye për mosfillimin e punimeve. Kompania kontraktuese tha se kjo ka ndodhur pasi janë në pritje të rezultateve të matjeve gjeomekanike.


