36.2 për qind e qytetarëve mendojnë se korrupsioni do të ekzistojë gjithmonë në Kosovë, por mund të kufizohet në një farë mase, sipas të gjeturave të organizatës ÇOHU! Në “Raportin për Vlerësimin e Korrupsionit në Kosovë për vitin 2023”.
Raporti i vlerësimit të korrupsionit, sipas ÇOHU!, qëndron mbi hulumtimin e perceptimit të qytetarëve mbi korrupsionin, i cili hulumtim është realizuar gjatë muajve korrik dhe gusht, 2023, “në të cilin kanë marrë pjesë 1001 qytetarë nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me respodentë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.
“Të gjeturat e hulumtimit të prezantuar reflektojnë një pasqyrë shumëdimensionale të perceptimit të qytetarëve lidhur me korrupsionin në sektorin publik, ku është vërejtur një shkallë e gjerë e perceptimit të qytetarëve për prezencën e korrupsionit në nivele politike dhe administrative, në sektorin e drejtësisë, komunave, sektorin shëndetësor, ATK-së dhe Doganave, etj., megjithëse në nivelin e përgjithshëm të trendit të korrupsionit, e kanë nxjerrë Kosovën në pozitën më të mirë në rajon, krahasuar me vendet ku është realizuar matja e ngjashme nga partnerët implementues të projektit, si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Bosnja dhe Shqipëria”, thuhet në njoftimin e ÇOHU!.
42.4 për qind e qytetarëve mendojnë se korrupsioni në Kosovë mund të reduktohet ndjeshëm, ndërsa 11.3 për qind thonë se përhapja e gjerë e korrupsionit nuk mund të reduktohet. 8.7 për qind thonë se korrupsioni mund të çrrënjoset.
Sipas anketës, 50 për qind e qytetarëve thonë se shumica e zyrtarëve në sektorin publik janë të përfshirë në korrupsion, ndërsa 29.3 për qind thonë se vetëm disa janë të përfshirë.


