Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) kanë publikuar Programin për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Gjatë publikimit u tha se qëllimi i programit është fuqizimi i kapaciteteve të profesionistëve për mbrojtjen e fëmijës në nivel komunal dhe qendror për të zbatuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme.
Në ceremoni u deklarua se modulet dhe përmbajtja, janë një aset edukativ i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijës, veçanërisht në lidhje me Ligjin e Mbrojtjen e Fëmijës, që është i pari i këtij lloji në Kosovë, dhe i cili sjell shumë risi, dhe aspekte që kërkojnë vëmendjen e shtuar dhe koordinimin institucional për zbatimin e tij në praktikë.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, tha se Programi është një dokument tepër i rëndësishëm, duke shtuar se Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të fëmijëve është punë e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë civile.
Ai tha se fokusi ka qenë kompletimi i kornizës ligjore, duke shtuar se Zyra e Kryeministrit do të vazhdojë me fushat në mënyrë që të respektohen të drejtat e fëmijëve.
Deputetja e AAK-së, e cila është anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriu, Albana Bytyqi, ka kërkuar zbatimin e Ligjit në praktikë, duke ofruar edhe mbështetjen e tyre si deputetë, raporton EO.
Kurse, drejtoresha ekzekutive e KOMF, Donjeta Kelmendi, theksoi se pandemia pamundësoi zbatimin e këtij ligji. Ajo ka vlerësuar bashkëpunimin me Zyrën për Qeverisje të mirë në hartimin e Programit, i cili tha se do të jetë udhërrëfyes për të gjithë.
Zhvillimi i programit të LMF mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetet nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID.


