Është paralajmëruar një protestë nga Njësia Speciale Operative e Policisë, një ditë pas asaj që e realizuan pjesëtarët e dy njësive të tjera elite – asaj Speciale Intervenuese dhe Njësisë për Eksploziv dhe Deminim.
Këto dy njësi protestuan para Qeverisë, ndërkaq burime të KOHËS thanë se brenda ambienteve të Policisë, Njësia Speciale do të shprehë pakënaqësinë për shtesën për rrezikshmëri të propozuar nga Qeveria, si dhe për kushtet e punës.
Në protestën e një dite më parë, efektivët e dy njësive elitare të Policisë kërkuan shtesë të rrezikshmërisë sa 50-përqindëshi i pagës bazë.
Por, kryeministri Albin Kurti nuk u ka dhënë shpresa se do ta realizojë atë, pasi ka thënë se nevojat, e jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet.
Sipas Kurtit dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, të ardhurat mesatare mujore gjatë vitit të pjesëtarëve të Policisë që protestuan kanë qenë 2 mijë e 200 euro.
Kjo nxiti reagime, meqë paga bazë e tyre është mbi 600 euro, ndërkaq shuma që kanë arkëtuar gjatë muajve të fundit është rezultat i orëve mbi normë, shkaku i obligimit të pjesëtarëve të njësive elite për të qëndruar në punë, kryesisht shkaku i tensioneve në veri.


