Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 200 euro gjobë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit për akuzën lidhur me një aksident trafiku, ku ishte goditur një fëmijë.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Gjykata përmes një komunikatë për media.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata duke vendosur në bazë të neneve 3, 7, 8, 9, 17, paragrafi 1, pika 1.2,1.5.31 dhe të nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, ministres Hajdari i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 200 euro.
E njëjta obligohet që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Po ashtu, ministrja Hajdari obligohet që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe shumën prej 900 euro për super-ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko -ligjore të paguajë shumën prej 50 euro.
“Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ndërkaq, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pronësore – juridike është udhëzuar në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, Divizioni i Kundërvajtjes, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


