Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar një rast të tentim-kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Prush.
Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë kontrollit të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës, një automjet është përzgjedhur për kontroll doganor.
“Gjatë intervistimit nga zyrtarët doganorë, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar, të realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë zbuluar 504 copë Barium Sulfate (Bariumsulfate) të padeklaruara, të fshehura në bagazhin e automjetit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu me këtë rast, është konstatuar se personi ka tentuar të fusë mallra në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa i paraqitur ato për kontroll dhe pa përmbushur detyrimet ligjore të deklarimit, duke kryer kundërvajtje doganore në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, i cili obligon çdo person që fut mallra në territorin doganor të Republikës së Kosovës t’i paraqesë dhe t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.
“Mallrat janë ndaluar dhe sekuestruar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj rastit do të zhvillohen procedurat e mëtejshme administrative dhe kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi”, thuhet në njoftim.


