Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka uruar mësimdhënësit në ditën Botërore të tyre, duke i falënderuar për kontributin e dhënë.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se roli i mësimdhënësve është i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë.
“Të dashur mësimdhënës. Sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit dua të ju falënderoj për punën që e bëni me përkushtim dhe për sakrificën e madhe në arsimimin e brezave të rinj.
Roli i mësimdhënësve në procesin edukativo-arsimor është i shumë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Puna me nxënës është përgjegjësi dhe jam e vetëdijshme që ky angazhim kërkon shumë energji e vullnet nga të gjithë”, ka thënë ajo.
Tutje Nagavci ka shtuar se si ministri janë duke punuar shumë në rregullimin e sektorit të arsimit, të cilin siç tha “ e kemi gjetur me shumë mangësi në të gjitha hallkat e funksionimit”.
“Prioriteti ynë është të përmirësojmë cilësinë në arsim, duke rregulluar infrastrukturën ligjore dhe fizike.
Mësimdhënia cilësore duhet të jetë mbi të gjitha preokupimi ynë i përbashkët dhe përgjegjësia ndaj fëmijëve, qytetarëve e vendit. Me punë e angazhim të përbashkët jam e sigurt se do të ja dalim.
Edhe njëherë, ju faleminderit për punën dhe përkushtimin tuaj të palëkundur në edukimin e fëmijëve tanë. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit!”, ka shkruar në urimin e saj ministrja Nagavci.


