Zjarri që ka kapluar mëngjesin e sotëm disa lokale në oborrin e QKUK-së është lokalizuar. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga Brigada e Zjarrfikësve.
“Sot në orën 07:15 njësiti i zjarrfikësve ishte informuar për një zjarr në një lokal në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Ndërkohë, njësiti më të mbërritur në vendin e ngjarjes, ka parë se nga zjarri ishin përfshirë edhe 2-3 lokale tjera si dhe një pjesë e objektit që i takon Fakultetit të Mjekësisë që ndodhet aty ngjitur me lokalin”, ka thënë Mal Gashi, zv/komandant i Brigadës së njësitit të zjarrfikësve në Prishtinë.
Sipas tij, zjarri ishte i madh, por është lokalizuar me intervenimin e zjarrfikësve.
Gashi nuk foli për shkaktarët e mundshëm të zjarrit, pasi sipas tij janë organet kompetente, përkatësisht inspektorët për hulumtimin e shkaqeve të zjarrit, që do ta konstatojnë.
Po ashtu sipas informatave, nuk ka të lënduar nga ky zjarr. Gashi vuri në dukje materialet pa kritere standarde të lokalit, që kanë lehtësuar shpërndarjen më të shpejtë të zjarrit.


