Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka kërkuar zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në UP dhe përjashtim për shkelësit dhe të papërgjegjshmit.
Dy ditë më parë, opinioni publik u njoftua lidhur me një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me ligjshmërinë e studentëve të rinj senatorë dhe të drejtës së tyre për të votuar në mbledhjen e datës 24/06/2022 të Senatit të Universitetit të Prishtinës.
Parlamenti Studentor thotë se ky aktgjykim është i porositur dhe rrjedhimisht i nxituar e tendencioz dhe kërkojnë që ky aktgjykim medeomos të apelohet nga ana e Universitetit të Prishtinës
“Sidoqoftë, tendencat e grupeve të interesit, organizatave joqeveritare dhe akterëve të tjerë që të krijojnë jostabilitet në organet drejtuese të Universitetit vetëm sa vështirësojnë realizimin e punëve të mira dhe arritjen e objektivave të UP-së. Derisa ne për asnjë moment nuk e kontestojmë të drejtën e votës së studentëve të rinj senatorë nisur nga praktikat e mëhershme, dinamika zgjedhore e përcaktuar nga KQZ-UP, parimi se të zgjedhurit e rinj votojnë mandatarët e rinj, vlerësojmë se ky aktgjykim duhet medeomos të apelohet nga ana e Universitetit të Prishtinës, ”, thuhet në njoftim.
PS ka rikujtuar edhe rastin skandaloz me Kishën Ortodokse serbe në Kampusin e UP-së, të njëjtit konsiderojnë që duhet të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj gjithë këtyre personave të papërgjegjshëm.
“Pikë e veçantë e kërkesës sonë, të cilën do ta dorëzojmë edhe zyrtarisht në MAShTI e Rektorat, është zbatimi i vendimit që parasheh publikimin e punimeve të doktoratës për të gjithë anëtarët e stafit akademik dhe verifikimin e tyre për t’i pamundësuar shkelësve të çdo natyre që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre përbrenda Universitetit të Prishtinës pas zgjedhjeve të reja, njëkohësisht të parandalohet selektiviteti dhe shantazhet nga jashtë.
Pra, përjashtim për shkelësit dhe të papërgjegjshmit, zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, rikonfirmim i legjitimitetit nga instancat më të larta të drejtësisë. Kjo është rruga, zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Askush nuk duhet të frikësohet nga parimi themelor i demokracisë – zgjedhjet e lira”.


