Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se viti shkollor do të nisë pa greva, porse do të nisë keq për fajin e Ministrisë së Arsimit dhe ministres Arbërie Nagavci, që nuk kanë bërë përgatitjet e duhura për tekstet shkollore.
Jasharaj në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, ka thënë se “MASHTI ka pasur dëshirë që viti të niste me greva e që gishti t’i drejtohej SBASHK-ut”.
“Jemi të lumtur që ky vit shkollor po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo duhej të gëzonte Qeverinë e ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i kishte gëzuar greva për të drejtuar gishtin drejt nesh e për t’u heshtur lëshimet e mungesën që MASHTI është dashur ta bënte. Ky vit shkollor do të fillojë i përcjellë me vështirësi, që i krijoi MASHTI, me eksperimentin e gabuar për tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se ministrja Nagavci “po mban inat për grevat e vitit të kaluar dhe nuk po takohet as me SBASHK, e as me këshille të prindërve e me Asociacion të Komunave”.
Jasharaj ka thënë se metoda për të aplikuar për subvencionim për tekste shkollore nëpërmjet “E-Kosova” e vështirëson fillimin e vitit shkollor dhe se do të kalojnë ditë “e nxënësit s’do të pajisjen me tekste shkollore”.
“Viti shkollor do të fillojë keq me fajtor të vetëm Ministrinë e Arsimit me në krye znj. Nagavci”, ka thënë Jasharaj.


