Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se të enjten më kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte ngjarja e fundit e ndodhur në Klinikën e Psikiatrisë, ku si pasojë e një zjarri ka humbur jetën një pacient.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së Bordi ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm që bazuar në kompetencat e tij të bëjë vlerësimin e gjendjes dhe të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës.
“Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Po ashtu thuhet se do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla.