Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë tre viteve të fundit është ofruar me sukses shërbimi për rindërtimin e gjirit me implante për gratë që kanë kaluar trajtimin e kancerit të gjirit dhe kanë nevojë për rindërtim pas mastektomisë.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 136 ndërhyrje kirurgjikale për vendosjen e implanteve dhe rindërtimin e gjirit, ndërsa vetëm gjatë vitit 2026 janë kryer 12 ndërhyrje të tilla.
“Ky shërbim ofrohet pa listë pritjeje, ndërsa implantet e gjirit sigurohen pa pagesë, duke u mundësuar pacienteve qasje të barabartë dhe në kohë në trajtim. Mosha e pacienteve që i janë nënshtruar këtyre ndërhyrjeve ka qenë kryesisht nga 35 deri në 65 vjeç”, ka njoftuar QKUK.
Tutje theksohet se rezultatet e arritura kanë qenë shumë të mira, si nga aspekti funksional ashtu edhe ai estetik. Rindërtimi i gjirit ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, rikthimin e vetëbesimit dhe mirëqenies psikologjike të grave që kanë kaluar kancerin e gjirit. Kënaqshmëria e pacienteve me rezultatet e trajtimit ka qenë shumë e lartë.
“Në kuadër të trajtimit rekonstruktiv, në anën ku është kryer mastektomia vendoset implanti i gjirit, ndërsa, sipas nevojës dhe dëshirës së pacientes, në gjirin tjetër mund të realizohen procedura rekonstruktive ose estetike për të arritur simetri sa më natyrale ndërmjet të dy gjinjve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu theksohet se përmes këtij shërbimi synohet jo vetëm rikthimi i pamjes trupore, por edhe përmirësimi i shëndetit, cilësisë së jetës dhe integrimit të plotë të pacienteve në jetën e përditshme.


