Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjatë natës janë dëgjuar shpërthime në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut.
Elshani tha se me shumë gjasa bëhet fjalë për shok-bomba, teksa bëri të ditur se nuk ka të lënduar. Ai tha se një veturë e policisë është dëmtuar.
Zëdhënësi i policisë thotë se është hapur një hetim, por ende nuk ka të dyshuar.
Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti hodhi poshtë pretendimet e Serbisë, e cila tha se se policët e Kosovës kishin kaluar kufirin dhe ishin futur në territor të saj.
Gjithashtu, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Reagon vetëm ShBA-ja dhe kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të enjten në mbrëmje lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp, raporton Zëri i Amerikës.
“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka thënë ai.
Miller ka deklaruar gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.
Ndërkaq emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të mbajë një konferencë për media të premten, 16 qershor, për ngjarjen e fundit në Kosovë dhe Serbi.


