Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të mbajë një konferencë për media të premten, 16 qershor, për ngjarjen e fundit në Kosovë dhe Serbi.
Të mërkurën, Policia e Kosovës ka thënë se tre pjesëtarë të saj janë kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës.
Ajo ka prezantuar edhe një hartë nga vendi ku raportohet se u kidnapuan policët.
Derisa ngjarja ka ndodhur dhe u raportua qysh herët nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur reagim.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar reagim të BE-së, SHBA-së e KFOR-it lidhur me situatën.
KFOR-i ka thënë se është i përfshirë me ngjarjen, por se po pret përgjigje zyrtare nga Serbia se si ka ndodhur rasti.
Kurti: Po befasohemi nga toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve – Veprimi i Serbisë ishte agresion ndaj shtetit tonë
Kurse dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në një konferencë për media ka thënë se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.
Kreu i Qeverisë tha se nuk është shprehur i befasuar me veprimet e Serbisë, por ai ka thënë se është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, një ditë pasi kidnapuan tre policë kufitarë në veri.
“Rasti i ndjeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe intencë për eskalim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim”, tha Kurti.
Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin.
“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të enjten.
Reagon vetëm ShBA-ja dhe kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të enjten në mbrëmje lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp, raporton Zëri i Amerikës.
“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka thënë ai.
Miller ka deklaruar gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.


