Kandidatët Hasan Shala, Bardh Bokshi dhe Emrush Kastrati janë rekomanduar për votim në Kuvendin e Kosovës për një pozitë të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese i ka rekomanduar Kuvendit për votim tre kandidatët për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, raporton Betimi për Drejtësi.
Për t’u zgjedhur, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm në seancë dhe që votojnë.
Hasan Shala është vlerësuar me 8.07 pikë, Bardhi Bokshi me 7.55 pikë dhe Emrush Kastrati me 7.4 pikë.
Ndërsa, dy kandidatët tjerë, Selman Ymeri është poentuar me 7.38 pikë, kurse Ramadan Gashi me 6.97 pikë.

Procesi për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, kishte dështuar dy herë radhazi, ndërsa herën e tretë vetëm njëri kandidat kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Ish- kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, kishte arritur që në raundin e parë të votimit, të marrë 66 vota, të cilat ishin të mjaftueshme për t’iu propozuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për emërimin si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Posaçëm përbëhet nga anëtarët e komisionit të posaçëm, në përbërje Adnan Rrustemi, Driton Selmanaj, Mimoza Kusari-Lila, Abelard Tahiri, Pal Lekaj, Enis Kervan, Albert Zogaj, Naim Qelaj, Agim Ferati, Igor Simiq dhe Gresa Caka-Nimani.
Më 19 maj, pesë kandidatë e nominuar për një pozitë të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese i ishin nënshtruar testit me shkrim për një pozitë të gjyqtarit në Kushtetuese.


