Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Poëer, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MË.
“Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Poëer dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet në njoftim.
Tutje Kryeministria bën të ditur se ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
“Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në njoftim.
Në këtë rast theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.


