Kurti: Më 18 mars diskutojmë një plan zbatimi të propozimit evropian – pala tjetër të jep përgjigje pse s’pati nënshkrim më 27 shkurt
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë një vizite në një biznes vendor në Prishtine, ka folur për takimin e 18 marsit.
“Pritjet tona janë se do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars që do të mbahet në Maqedoninë e Veriut, në Ohër dhe të shohim se si do të mund t’ia bashkangjesim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithë përfshirja dhe efikasiteti”.
Kurti edhe sot përsëriti se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj propozimin evropian.
“Unë isha i gatshëm për të nënshkruar kur ishim në Bruksel, andaj e kuptoni që për marrëveshje duhet palët dhe nuk mjafton vetëm njëra”, tha ai.
Sipas tij, është dëm që teksti i dakorduar me pesë fjali një preambulë dhe 10 Nene gjithsej tashmë nuk është nënshkruar me darën 27 shkurt.
“Pse nuk ka nënshkrime besoj që përgjigjen duhet ta kërkoni tek të tjerët”, tha ai.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara me deklaratat kundërshtuese të liderëve opozitarë dhe zyrtarëve të partive opozitare ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.
Sipas këtij zyrtari, qëndrimet e opozitës kosovare nuk janë në përputhje me përkrahjen e ShBA-së për propozimin evropian.


