Qeveria e Kosovës i ka dhënë sot dritën e gjelbër shpalljes së një konkursi ndërkombëtar për hartimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryeministri Albin Kurti me të hapur mbledhjen pasi foli për aktivitetet e zhvilluara për Epopenë e UÇK-së, tha se tashmë po nis rrugën e finalizimit edhe projekti për Prekazin e Adem Jasharit.
Kështu pas hedhjes në votim, Qeveria e Kosovës edhe miratoi propozim-vendimin për aprovimin e kritereve dhe kushteve për shpalljen e fituesit dhe procedurat e aplikimit për përzgjedhjen e projektit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale ka propozuar kushtet dhe kriteret për shpalljen e konkursit për hartimin e projektit, saktësisht master-planit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’”, tha ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Ai tha se kushtet dhe kriteret për shpalljen e konkursit ndërkombëtare për projektin e kompleksit memorial “Adem Jasharit” në Prekaz janë elaboruar në hollësi në dokumentacionin e tenderit që siç tha ai përbëhet nga dosja, shtojca teknike dhe përmbledhja e tekstit të konkursit.


