Moldavia ka rihapur hapësirën ajrore për fluturime civile, disa orë pasi të martën mbylli përkohësisht atë për shkaqe sigurie, tha autoriteti i aviacionit.
Më herët, kompania shtetërore e fluturimeve, Air Moldova, njoftoi se shteti mbylli përkohësisht hapësirën ajrore.
Autoriteti i aviacionit tha se më vonë do të japë detaje për këtë çështje.
Mbyllja dhe rihapja e sërishme e hapësirës ajrore vjen në kohën e rritjes së tensioneve midis Moldavisë dhe Rusisë.
Moldavia i ka ndaluar 12 shtetas serbë, me dyshimin se kanë planifikuar të kryenin puç nëpërmjet protestave të organizuara nga opozita, raportoi mediumi kroat “Index” të martën.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, deklaroi se plani rus për puç u tentua të bëhej nga persona të trajnuar nga vendet si Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi.
“Plani përfshiu sabotim dhe njerëz të trajnuar, ushtarakë të armatosur si civilë, në mënyrë që të mund të kryheshin veprime të dhunshme, sulme ndaj objekteve qeveritare dhe marrje pengjesh”, deklaroi Sandu, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që Rusia tentoi të kryente veprime të tilla në Moldavi.
Kurse Sandu dje theksoi se Rusia po planifikon të përdorë sabotues të huaj për të rrëzuar udhëheqjen në shtetin e saj, për të ndaluar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ta përdorë këtë në luftën kundër Ukrainës.
Rusia ka hedhur poshtë akuzat e presidentes Maja Sandu, e cila ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për synimet ndaj ish-republikës sovjetike që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.


