Komuna e Prishtinës i jep 3 muaj afat shtesë kompanisë për përfundimin e punëve në Parkingun Nëntokësor
Afati për përfundimin e punëve në Parkingun Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në kryeqytet ka qenë muaji gusht, raporton Kallxo.com.
Por, Komuna e Prishtinës i ka dhënë afat shtesë edhe tre muaj kompanisë që është duke kryer punimet pas kërkesës së kësaj të fundit.
Kështu që punimet në Parkingun Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në kryeqytet pritet të finalizohen në muajin nëntor.
Kompania ‘Parking Center’ e cila po kryen punimet në këtë projekt është përballur me zvarritje të vazhdueshme në finalizim të këtij projekti.
Punimet fillimisht ka qenë në plan të përfundojnë në maj të këtij viti pastaj u shtynë deri në gusht, por kompania ka kërkuar nga komuna zgjatje të afatit, brenda kornizës së kontratës.
Nga komuna u bë e ditur se ka zgjatur afatin për 90 ditë.
“Për shkak të pandemisë, Operatori Ekonomik ka kërkuar zgjatjen e afatit për përfundimin e punimeve sipas kontratës, dhe Komuna e Prishtinës ja ka zgjatë afatin për përfundimin e punimeve për 90 ditë, konform kushteve të kontratës”, thuhet më tej në përgjigje.
Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës për Kallxo.com ka bërë të ditur se punimet janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik.
Punimet janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik, punimet në Parkingun Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik pritet të përfundojnë në muajin nëntor”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Në vjeshtën e vonë të vitit 2020, kanë filluar punimet për ndërtimin e projektit të “Parkingun Nëntokësor tek Fakultetit Filologjik në Prishtinë”.
Sipas të dhënave, ky parking pritet të ketë kapacitet deri në 700 vende për vetura, ndërsa, kostoja e punëve për këtë projekt pritet të shkojë deri në 15 milionë euro.
Nga kompania “Parking Center” më herët është bërë e ditur se ka ngadalësim në planin dinamik për shkak se qasjen e plotë në vendpunishte e kanë marrë me vonesë.


