Ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, ka komentuar zhvillimet politike në Gjermani, duke përmendur votimin e fshehtë që çoi në zgjedhjen e kancelarit të ri gjerman, Friedrich Merz.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murati tha se edhe në Kosovë votimi i fshehtë do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit aktual politik për konstituimin e Kuvendit.
Ai kritikoi opozitën për, siç tha, bllokadën e pajustifikuar ndaj këtij procesi.
“Votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituim të Kuvendit edhe tek ne,” shkroi Murati.
Ai vlerësoi gjithashtu qasjen e partive gjermane në procesin e zgjedhjes së kancelarit, duke theksuar se, ndonëse votimi i parë dështoi, askush nuk kërkoi ndërrim kandidati apo formim të një qeverie tranzicionale.
Zgjedhja e Friedrich Merz si kancelar i Gjermanisë u bë përmes një votimi të fshehtë në Bundestag, në një proces që Murati e cilëson si model për demokraci dhe stabilitet institucional.