Një zyrtar policor i Kosovës dyshohet se ka kryer vetëvrasje të mërkurën në Prishtinë. Viktima është identifikuar si Alban Tolaj, 47 vjeç, shkruan KosovaNews.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:45 në rrugën “Ahmet Korenica” në kryeqytet.
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci. Ai tha se menjëherë pas raportimit, policia dhe ekipet e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e zyrtarit policor.
“Mbështetur në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe me kujdes të shtuar po shqyrton të gjitha aspektet e rastit për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje tragjike,” deklaroi Borovci.
Një familjar i të ndjerit, Kreshnik Nico Tolaj, ka shprehur dhimbjen e tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke ngushëlluar familjen e Alban Tolajt.
“Të nderuar familjarë të Alban Tolaj, me dhimbje morëm lajmin për humbjen e Albanit. Jemi me ju në këtë moment të vështirë. Pushoftë në paqe. Ngushëllime të thella,” ka shkruar ai.
Policia e Kosovës ka shprehur ngushëllimet e saj më të thella për familjen, kolegët dhe miqtë e Alban Tolajt. Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarje tragjike.