Ndonëse pa lojtarët më të rëndësishëm, Kosova mori pikë të madhe ndaj Zvicrës në Basel. Të shtunën mbrëma Zvicra e Kosova luajtën 1:1 në ndeshjen kualifikuese për Euro 2024.
Barazimi i mundëson Zvicrës që të kualifikohet në Evropian, ndërsa Kosova tashmë është pa gjasa. Por “Dardanët” kanë vazhduar ecurinë pozitive. Barazimi erdhi pas dy fitoreve rresht.
Në Basel, Kosova kishte përkrahje të madhe nga tribunat. Madje më shpesh e më shumë janë dëgjuar thirrjet “Kosova, Kosova” dhe “O sa mirë me qenë shqiptar”.
Zvicra kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 47-të. Ruben Vargas shënoi nga afërsia pas një reagimi jo të duhur të mbrojtjes së Kosovës. Por Kosova ia doli të barazoi. Në minutën e 82-të, Muhamet Hyseni shënoi gol të bukur për 1:1. Për sulmuesin e Llapit ishte ndeshje debutuese te Kosova. Ai realizoi gol të bukur pas një veprimi mjeshtëror në zonë.
Kosova është paraqitur pa Amir Rrahmanin, Vedat Muriqin, Milot Rashicën, Arijanet Muriqin, Edon Zhegrovën dhe shumë lojtarë të tjerë. Por lojtarët që fituan rastin dhanë më të mirën dhe në fund morën pikën e madhe.
Kosova barazon në debutimin e ëndrrave për Hysenin
Muhamet Hyseni ka barazuar gjithçka në Bazel. Sulmuesi i Llapit realizoi në ndeshjen debutuese te Kosova. Ai shënoi në minutën e 82-të për 1:1, vetëm nëntë minuta pas inkuadrimit.
VIDEO:
GoaL! | Switzerland 1-1 Kosovo | Muhamet Hysenipic.twitter.com/mxhlY7tVWo
— FootColic ⚽️ (@FootColic) November 18, 2023
Zvicra në epërsi me të nisë pjesa e dytë
Zvicra ka kaluar në epërsi ndaj Kosovës me të nisur pjesa e dytë. Shënoi Ruben Vargas pas një tollovie në zonë.
Kosova reziston ndaj Zvicrës në pjesën e parë
Kosova e ka mbyllur 0:0 pjesën e parë ndaj Zvicrës, në ndeshjen që po zhvillohet në Basel për kualifikimet e Euro 2024.
Zvicra dominoi në tërësi takimin. Ruben Vargas lëshoi disa raste të mira shënimi.
Për Kosovën, rasti i vetëm ishte ai i minutës së 38-të kur Elbasan Rashani goditi me kokë dhe topi shkoi shumë pranë portës.
Rashani lëshon rast të artë për Kosovën
Elbasan Rashani ka lëshuar rastin më të mirë të Kosovës deri në minutën e 40-të.
Rashani goditi me kokë pas harkimit të Florent Muslijës, por topi shkoi shumë pranë portës.
Ishte ky rasti i vetëm i Kosovës deri tash.
Nis ndeshja Zvicër – Kosovë
Ka nisur ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
Kosova ka pak gjasa për kalim tutje, ndërsa Zvicrës i duhet fitorja ose barazimi dhe rezultat i favorshëm në ndeshjen tjetër të grupit mes Izraelit dhe Rumanisë.
Zvicër-Kosovë, publikohen formacionet zyrtare
Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
Granit Xhaka si kapiten e Xherdan Shaqiri udhëheqin skuadrën zvicerane për takimin e sotëm ndaj Kosovës. Andi Zeqiri është në bankën rezervë.
Ndërkohë, te Kosova ka shumë ndryshime. Në portë do të jetë Visar Bekaj, që do ta zëvendësojë Arijanit Muriq që mungon shkaku i lëndimit.
Në mbrojtje luajnë Fidan Aliti, Lumbardh Dellova e Ilir Krasniqi.
Mesfusha përbëhet nga Qëndrim Zyba, Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj e Bernard Berisha. Para tyre luan Florent Muslija e Zymer Bytyqi që do ta ndihmojnë Elbasan Rashanin në sulm.
Vedat Muriqi, Milot Rashica e Ermal Krasniqi janë mungesat e tjera nga ky grumbullim për këtë ndeshje.
Kosova ka pak gjasa për kalim tutje, ndërsa Zvicrës i duhet fitorja ose barazimi dhe rezultat i favorshëm në ndeshjen tjetër të grupit mes Izraelit dhe Rumanisë.