Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbinë e presin masa të ashpra, përfshirë ndalimi i procesit të integrimit evropian, tërheqja e fondeve dhe ndryshimi i regjimit të vizave, nëse nuk e pranon propozimin që njihet si franko-gjerman.
Vuçiqi në një konferencë për media, ka thënë se këto paralajmërime i janë bërë të premten e javës që shkoi, gjatë vizitës që emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshiltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
“Të gjithë kemi parë versione të planit franko-gjerman. Nuk është më vetëm i tyre dhe për këtë do të flasim më vonë. Kur shikoni një letër, gjeni lehtësisht kundërshtime dhe në atë letër nuk ka asgjë me të cilën mund të jemi të kënaqur. Kam marrë pjesë në të gjitha bisedimet, qysh edhe prej kohës kur në krye ishte Ivica Daçiq, dhe nuk është dukur kurrë kështu. Shtrohet pyetja pse? Fakti është se rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar, Evropa është de facto në një luftë. Nuk ka tolerancë për të kërcyer në kuptimin politik, dhe nga ana tjetër, na duan në oborrin e tyre, dhe jemi në oborrin e tyre, duan çdo gjë qysh kanë dëshirë ata”, tha Vuçiq. “Jam i shqetësuar, nuk do të vendosi problemet nën tepih. Erdhën pesëshja, tre përfaqësues të vendeve më të mëdha të Evropës. Në të dytën fjali më është thënë se duhet të pranojmë këtë plan dhe se nëse nuk e pranojmë, sepse mendojnë se duhet pranuar, do të përballemi me ndërprerjen e procesit të integrimit evropian, nën dy, do të përballemi me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, nën tre, me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik. I citova dhe më i përsëritën edhe tri herë. Çdo herë kam reaguar shumë ashpër për këtë”.
Vuçiq thotë se po fshihet fakti se në plan ekziston “detyrimi që të mos kundërshtohet hyrja e të ashtuquajturës Kosovë në OKB”.
“Ata i pranuan të gjitha këto dhe ai plan de facto është bërë kornizë e re negociuese për Serbinë”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se ka mundur të largohej nga diskutimet, porse “do të tërhiqeshin investimet e do të ndryshonte regjimi i vizave”.
“Ekonomikisht dhe politikisht do të ishim të humbur pa këtë. Kam qenë mjaft i fortë për t’u thënë në fytyrë kësaj pesëshe të madhe se çfarë do të marrë përsipër. Plani ynë është të punojmë shumë më tepër, më fortë, t’i bëjmë reformat në sistem të drejtësisë, në sistem medial, dhe të mundohemi të jemi më të mirët. Na pret një periudhë e vështirë, do të na duhet shumë energji dhe mund”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq thotë se po tenton ta shpëtojë Serbinë.
“Nëse zgjedhja është që në njërën anë të kemi sanksione e izolim apo në anën tjetër të themi se pranojmë çdo gjë, menjëherë, që i bie edhe Kosovën në OKB, jam për rrugën e kompromisit për aq sa është e mundur”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se nuk është nënshkruar asgjë, porse “duhet kërkuar një marrëveshje kompromisi”.
“Asgjë nuk do të ndodhë për disa muaj, e kur të përballemi me kërkesat përfundimtare, për këtë do të deklarohet edhe Këshilli Kombëtar, ndoshta edhe populli, e ndoshta edhe të gjitha institucionet tjera dhe e gjithë shoqëria serbe. Është e rëndësishme që në ditët në vijim të njoftojmë të gjithë përfaqësuesit e grupeve paralamentare që duan të dëgjojnë dhe t’i informoj se çfarë fshihet pas çdo gjëje, cilat janë qëllimet”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se nuk do të hetonte edhe të jepte dorëheqje nëse do të ishte e mundur “të blinte kohë me këtë”.
“Ky është sigurisht mandati im i fundit, nëse ka nevojë për të shpëtuar shtetin në çfarëdo mënyre, nuk do të hezitoja. Ky nuk është ai moment, por nuk e kam problem. Unë jetoj për shtetin tim jam ushtar i shtetit tim. Çfarëdo që është në interes të shtetit do ta bëj”, tha Vuçiq.
Vuçiq: Millosheviqi deri në momentet e fundit nuk besonte se do të hidheshin bomba
Vuçiq ka thënë se s’ka sanksione më të rënda sesa tërheqja e investimeve.
“Tri herë më thanë për këtë. Ose në anën tjetër të pranojmë gjithçka, menjëherë, që do të thotë edhe Kosovën në OKB. Unë jam për atë rrugë kompromisi., nëse është e mundur të luftohet e shtyhet”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se duhet kuptuar se “cila është forca e Serbisë e cila e atyre”.
Ai ka treguar se edhe Sllobodan Millosheviqi kishte menduar deri në momentin e fundit se nuk do të hidheshin bomba mbi Serbinë.
“U deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin në Serbi”, tha Vuçiq.
Vuçiq ndërkohë ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po tenton ta tërheqë Serbinë në një konflikt.
Ai thotë se janë regjistruar “287 incidente me Kurtin në krye”.
Vuçiq: Asociacioni s’mund të jetë OJQ
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se së pari duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe se ai nuk mund të jetë organizatë joqeveritare.
“Asociacioni nuk është dhe nuk mund të jetë organizatë joqeveritare, ajo ka 22 parimet e saja të nënshkruara në Bruksel në vitin 2015. Ka synime, një strukturë organizative, e them këtë sepse disa të tjerë do të donin të vendosnin se si duhet të duket Asociacioni dhe dihet se si duhet të duket. Dua të them se tani është një luftë e madhe për Asociacionin, është e qartë se ata po përpiqen të thonë se 21 nga 22 parimet nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe prandaj nuk do ta bëjnë. Por, e pashë vendosmërinë e amerikanëve për këtë çështje, besoj në muajt në vijim do të përfundohet”, tha Vuçiq.
Lexo po ashtu: