Policia e Kosovës ka iniciuar një rast për veprën penale “Kanosje”, pasi një person me inicialet Sh.B. ka raportuar se ndihet i kanosur pas publikimit të një interviste në media, në të cilën ai është përmendur si i dyshuar për krime lufte.
Sipas Policisë, Sh.B. është paraqitur të premten, më 24 korrik 2026, në Stacionin Policor në Prizren, ku ka dorëzuar ankesën e tij.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Kanosje”. Ndërkohë, personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, me inicialet E.SH., është ftuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është proceduar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari E.SH. është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se për informata të tjera lidhur me rastin, mediat duhet t’i drejtohen prokurorisë kompetente.


