Një person i moshës 38 vjeç ka mbetur i vrarë ndërsa një tjetër i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së hënës në Gjakovë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Çarshinë e vjetër, përkatësisht në rrugën “Vëllezërit Frashëri”.
Zëdhënësi i policisë Rajonale në Gjakovë, Sheremet Elezaj, tha se njësitet e policisë me të marrë informacionin kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku edhe me Prokurorin e shtetit dhe ekipet mjekësore. Këto të fundit në vendngjarje kanë konstatuar vdekjen e njërit prej tyre.
“Në mëngjes rreth orës 5.30 kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij. Poashtu në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit në konsultim me të cilin është iniciuar rasti ‘vrasje e rëndë ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor”, ka thënë ai.
Në anën tjetër i plagosuri është duke u trajtuar në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë. Ilir Hasanaj, shef i Emergjencës, tha se i plagosuri është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Menjëherë janë marr masat janë bërë disa ekzaminime dhe trajtime të nevojshme. Pacienti është hospitalizuar në repartin e Ortopedisë dhe është duke vazhduar të trajtohet. Gjendja e pacientit është stabile”, tha ai.
Sipas Drejtorisë së Policisë në Gjakovë janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar i cili aktualisht gjendet në arrati.


