Vlera e Lamine Yamal në treg ‘ka prekur qiellin’ pas performancave të tij të jashtëzakonshme në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024” me Spanjën.
Sensacioni spanjoll u fut në këtë garë si një 16-vjeçar dhe shijoi një kampanjë fantastike e cila përfundoi me ‘Furinë e Kuqe’ që u shpall kampion duke mposhtur Anglinë në finale.
Yamal i cili mbushi 17 vjet një ditë para finales, dhuroi asistimin e tij të katërt në këtë garë kur asistoi Nico Williams tek goli i parë në finalen e Berlinit.
Adoleshenti spanjoll fitoi çmimin ‘Goli më i mirë i Euro 2024’ ndaj Francës dhe me shumë meritë u shpall lojtari i ri më i mirë i Kampionatit Evropian.
Të gjitha këto statistika, gola dhe asistime që Yamal i arriti në Euro 2024, kanë bërë që atij t’i rritet shumë vlera në treg.
Sipas një përditësimi të fundit nga uebsajti i njohur Transfermarkt, ata i dhuruan 35 lojtarëve nga Euro 2024 një rritje të vlerës së tyre.
Por sërish është Yamal ai i cili ka ‘rrëmbyer’ ballinat, pasi ai është bërë lojtari i parë nën moshën 19-vjeçare që tejkalon shifrën prej 100 milionë eurosh.