Patrullimet e zakonshme të policisë do të zëvendësohen në patrullime “inteligjente”.
Me një veturë me shume pajisje inteligjente, policia po patrullon rrugëve të Gjilanit. Brenda saj ka sistem që i detekton vetë shkelësit e rregullave.
Shpejtësinë, veturat e paregjistrua, tejkalimet në vijë të plotë regjistrohen nga sistemi me kamera. Sistemi printon një raport bashkë me fotografi të veturës dhe më pas shkelësi lajmërohet nga policia për kundërvajtjen.
Qytetarët e Gjilanit e kanë mirëpritur iniciativën e policisë që përmes veturave me pajisje inteligjente i gjobisin ata që thyejnë rregullat e komunikacionit.
Edhe numri i aksidenteve është zvogëluar në Gjilan nga patrullimi i policisë me vetura inteligjente, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Ai thotë se për qëllim kanë parandalimin e aksidenteve fatale.
Këto vetura, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, do të operojnë në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës.
Secili regjion ka marrë një veturë dhe tashmë 7 të tilla ndodhen në krejt Kosovën.
Edhe Prishtina përkundër numrit të madh të veturave ka vetëm një automjet të tillë.
Policët në kryeqytet kanë shqiptuar mbi 100 gjoba për një javë.


