Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, vendimi i Apelit për Salih Mustafën, i dënuar me 26 vite burgim për krime lufte, do të shpallët më 14 dhjetor 2023.
Kjo është bërë e ditur përmes një vendimi të nxjerrë nga trupi gjykues i Apelit me në krye Michele Picard, më 27 nëntor 2023, për caktimin e datës së shpalljes së vendimit për çështjen gjyqësore ndaj Mustafës.
Aty thuhet se vendimi në këtë rast gjyqësor do të mbahet në seancë publike, duke filluar nga ora 9:30.
“Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës së Apelit: PLANIFIKON shpalljen e Aktgjykimit të Apelit për të enjten, më 14 dhjetor 2023, në ora 9:30; dhe UDHËZON palët dhe pjesëmarrësit që të tregojnë, deri të hënën, më 4 dhjetor 2023, ora 16:00, nëse do të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë kësaj seance, siç është detajuar më sipër në paragrafin”, thuhet në vendimin e panelit të trupit gjykues të Apelit.
Po ashtu, kolegji i Apelit ka udhëzuar palët dhe pjesëmarrësit që të tregojnë deri të hënën më 4 dhjetor, nëse do të jenë të pranishëm gjatë seancës në sallën e gjyqit apo do të marrin pjesë nëpërmjet video-konferencës.
Kurse, mbrojtja e Salih Mustafës është udhëzuar që ta specifikojë këtë në lidhje me avokatin dhe të akuzuarin.
Ndryshe, kolegji i Apelit kanë mbajtur dy seanca në këtë çështje gjyqësore, pra më 26 dhe 27 tetor.
Mustafa case: Appeal judgment on 14 December #MustafaCase #KosovoSpecialistChambers https://t.co/DsiYgUowAs
— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) November 27, 2023
Ndryshe, aktgjykimi ndaj Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim.
Dënimi me 26 vjet, nga shumë juristë në Kosovë është parë si shkelje e ligjit penal, pasi me ligjin e Dhomave të Specializuara dënimi maksimal është deri në 20 vjet, e cili ligj rrjedh nga një ligj i ish-Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSVJ). E ky ligj është modifikuar nga UNMIK-u më vonë.


