Ish-kryeministri grek Konstantinos Simitis vdiq të dielën në moshën 88-vjeçar. Simitis kishte qenë kryeministër i Greqisë nga viti 1996 deri më 2004.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, në një postim në “Facebook”, ka shkruar për kontributin e Simitisit gjatë luftës në Kosovë. Ai ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Simitis kishte ndërtuar në Shqipëri tri kampe për refugjatët nga Kosova.
“Çdokush është hero i historisë së tij personale, por Kostas Simitis ka një rol të veçantë në miqësinë shqiptaro – greke! Ai ka qenë në zyrën e kryeministrit të Greqisë gjatë kohës së Luftës së Kosovës dhe u bë protagonist i një politike të matur brenda vendit dhe ndihmues karshi shqiptarëve! Qeveria e tij ndërtoi tre kampe në Shqipëri në ndihmë të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, dhe shmangu me qetësinë e tij karakteristike ekstremizmin periferik në shoqërinë greke! Kostas Simitis mund të karakterizohet si një njeri për të cilin ndjesitë nuk ishin fakte! Me një formim kulturor greko-gjerman dhe po ashtu produkt i shkollës ekonomike të Londrës, Kostas Simitis bënte diferencë nga kultura e vjetër e sjelljes ballkanike! Ai respektonte dallimet dhe nuk i demonizonte ato! Puna e tij ishte e ardhmja! Politika është një dhomë egoizmi por Kostas Simitis, doli prej saj i nderuar! Lamtumirë mik!” – ka shkruar Majko.