Në Gjykatën Komerciale të Kosovës ka vazhduar beteja gjyqësore në mes të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Dardafon.net” L.LC. në pronësi të Blerim Devollit, në lënden kontestuese : Padi për anulimin e vendimit të Arbitrazhit
Në seancën e sotme në ora 10 të thirrur nga gjyqtari Alajdin Tershnjaku, Telekomi i Kosovës përfaqësohej nga Lulzim Sokoli konsulent individual për shërbime të veçanta juridike, Feim Kelmendi zyrtar kryesor financiar dhe i thesarit në Telekomin e Kosovës dhe Leonora Syla drejtoresh për çështje të korporatës.
Ndërsa kompaninë “Dardafon.net” si palë e paditur e përfaqësonte Shoqëria e Avokatëve “Pro Juris Law Firm” me avokat Arbër Krasniqi.
Përpara fillimit të seancës zyrtarët e Telekomit dorëzuan kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit të rastit Alajdin Tershnjaku .
Me paraqitjen e kësaj kërkese gjykata mori aktvendim që të ndërpritet procedura në këtë çështje derisa për kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit të vendos kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës.
Rasti ka të bëjë me vendimin e Arbitrazhit të dytë ku Telekomi i Kosovës do të detyrohej t’i paguante “Dardafonit” rreth 15 milion euro duke përfshirë edhe kamatat.
Ndërkohë Telekomi i Kosovës në Gjykatën Komerciale ka kërkuar anulimin e këtij vendimi ndërsa kompania “Dardafon” ka iniciuar kërkesë për njohje e vendimit të Arbitrazhit.
Por sipas ligjeve të Republikës së Kosovës fillimisht duhet të trajtohet padia për anulim të cilin e kishte bërë Telekomi i Kosovës veçmas prej kërkesës për njohje që e kishte bërë kompania “Dardafon”.
Mirëpo gjykatësi Alajdin Tershnjaku në ftesën e dërguar palëve si duket me apo pa qëllim ka tentuar t’i bashkoj lëndët duke krijuar konfuzitet aq të madh sa që zyrtarët e Telekomit e kanë pasur të paqartë se për cilen seancë janë thirrur.
Kjo është njëra ndër arsyet që zyrtarët e Telekomit kanë kërkuar përjashtimin e Gjyqtarit Alajdin Tershnjaku nga ky proces duke hedhur dyshime se këtë konfuzitet ky gjyqtar e ka shkaktuar qëllimisht.
Ndërsa arsyeja tjetër është se i njëjti gjyqtar gjatë proceseve gjyqësore që lidhen me Arbitrazhin e parë 3 herë ka gjykuar në favor të kompanisë se Devollëve ndërsa të tre herat shkalla e dytë e Komerciales e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Ndërsa në vendimin e fundit më 27 dhjetor për të cilin kishte raportuar ekskluzivisht KosovaNews gjyqtari Faton Bajrami përvecëse e kishte kthyer lëndën në rigjykim kishte kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtarit Alajdin Tershnjaku.
Është e habitshme se si të gjitha rastet që kanë të bëjnë mes Telekomit dhe kompanive të Devollëve bien të gjykohen nga gjyqtari Alajdin Tershnjaku.