Pas dorëheqjes së asamblistit Fadil Spahiu dhe kryetarit të nëndegës së fshatit Sllovi, Fitim Sopjani, nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan, ka dhënë dorëheqje edhe Shkëlzen Bislimi si pasojë e pakënaqësive me procesin e brendshëm zgjedhor.
Sipas Bislimit, atij i është mohuar e drejta për të kandiduar për kryetar dege edhe pse ishte aktivist e anëtar i subjektit prej vitit 2016 e në mandatin e kaluar edhe asamblist në Lipjan. Ai ka thënë se në VV, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit vitin e shkuar, ka nisur një luftë speciale ndaj njerëzve që kanë dhënë kontribut kaherë.
Ai shpjegon se me angazhimin e tij si kryetar i nëndegës në fshatin Gadime kishte arritur që në zgjedhjet lokale të vitit 2017 të ishte njeriu më i votuar brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Atëkohë edhe e kuptova që brenda një organizate ekziston një grupacion që punonte kundër interesave të Lëvizjes Vetëvendosje në krye me një ‘aktivist’ të lidhur ngushtë me ‘Prishtinën’. E kuptova kur ne mbanim mbledhje të kryesisë në zyrë kurse ai dhe 3 persona të tjerë mbanin mbledhje paralele në një lokal afër zyrave. Për mua nuk ka qenë normal ky lloj aktiviteti i atyre ‘aktivistëve’. Vitet kalonin dhe kishte zgjedhje të shpeshta, çdoherë e më shumë theksohej aktiviteti i tyre kundër strukturave legale të zgjedhura. Kishte kandidat për deputet të cilët vetë i nxisnin për garë dhe po të njëjtit gjenin arsye për të mos i votuar e t’u bënin antifushatë. Grupi në fjalë kurrë asnjë aktivitet nuk e zhvillonte për të arritur sukses organizata, thjesht vendosnin pengesa kur e shihnin që aty po punohej”, ka thënë Bislimi nëpërmjet një shkrese.
Ai ka shpjeguar se derisa ishte anëtar i Kuvendit Komunal në mandatin e kaluar, individët brenda partisë kishin tentuar ta minimizojnë aktivitetin e tij politik në disa mënyra.
“Aktiviteti i këtij grupi përherë e ka pasur një mbështetje nga dikush i fuqishëm në Sekretariatin e Përgjithshëm në Prishtinë”, ka thënë Bislimi. “Në Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, ka filluar një luftë speciale ndaj njerëzve qe kanë dhënë kontribut kaherë, ka filluar mosrespektimi i demokracisë, i fjalës së lirë, i shprehjes së ambicieve për avancim brenda strukturave. Ky alamet ‘aktivisti’ që krenohet me shfuqizimin e demokracisë brenda organizatës gjithmonë duke iu referuar termit pezhorativ ‘Demoklacia, Demoklacia’”, ka kritikuar më tej Bislimi.
Sipas tij, me këto veprime Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan është vetëshkatërruar.
“Unë nuk mund të qëndroj në një organizatë ku duhet të flasësh si lideri e jo si vetja jote. Unë nuk mund të qëndroj në një organizatë ku nuk respektohen bindjet fetare, një organizatë islamofobësh. Unë nuk mund të qëndroj në një organizatë ku distancohesh e fyhesh nëpër rrjetet sociale me profile false, duke pasur frikë të tregojnë fytyrën në publik, sepse të pabesët veprojnë në këtë mënyrë. Unë nuk mund të qëndroj në një organizatë ku padrejtësitë veç rriten e nuk minimizohen. Vulën e padrejtësive brenda Lëvizjes Vetëvendosje e dhanë sot duke ma ndaluar kandidaturën për Kryetar të Qendrës”, ka thënë më tej Bislimi nëpërmjet njoftimit.
Kujtojmë se gjatë të së enjetës, dorëheqje nga dega e kësaj partie në lipjan kishin dhënë edhe asamblisti Fadil Spahiu dhe kryetari i nëndegës së fshatit Sllovi, Fitim Sopjani, kanë dhenë dorëheqje të enjten, duke u ankuar për procesin e brendshëm zgjedhor.
Gjatë këtij procesi zgjedhor, disa aktivistë kanë shprehur ambicie për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan e, në mesin e tyre edhe Adnan Rrustemi deputet në Kuvendin e Kosovës, njëherësh koordinator i LVV-së në Lipjan. Dorëheqjet e fundit kanë etiketuar pikërisht procesin zgjedhor si “denigrues dhe jo demokratik nga drejtuesit e qendrës”.
Sipas burimeve brenda LVV-së në Lipjan, gjatë ditëve në vazhdim pritet të ketë edhe dorëheqje të reja nga ky subjekt.
Kuvendari Spahiu, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se po largohet nga subjekti shkaku i zhgënjimeve dhe mospajtimeve me zhvillimet e fundit brenda subjektit.
“Pas një rrugëtimi të gjatë si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, jap dorëheqje në shenjë zhgënjimi dhe mospajtimi me zhvillimet e kohëve të fundit në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan. Kohëve të fundit jemi përballur me situata aspak demokratike dhe denigruese të udhëheqjes së qendrës sonë, veçanërisht të procesit të zgjedhjeve të brendshme, ku drejtuesi i Grupit Punues duke e keqpërdorur pozitën emëruese nga niveli i tretë organizativ, e favorizon një grup të ngushtë të individëve dhe duke i linçuar dhe distancuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e tjerë”, ka thënë Spahiu që ka shtuar se angazhimin do ta vazhdojë si asamblist i pavarur.
Ndërkaq, Fitim Sopjani kryetar i degës së LVV-së në fshatin Sllovi, njëherësh anëtar i grupit punues në Qendrën e LVV-së në Lipjan, ka thënë se jep dorëheqje nga të gjitha pozitat e këtij subjekti.
“Pas zhvillimeve të fundit brenda procesit zgjedhor të LVV-së, kam kuptuar që Demokracia e shfaqur në publik, nuk paska qenë brenda strukturave, në momentin kur i rrezikohet pozita një individi ose grupacioni. Unë e kuptova aty por, do ta kuptojnë edhe të gjithë ata që do të përballen me këso lloj situatash”, ka thënë Sopjani.