Dogana e Kosovës ka njoftuar se të dielën ka parandaluar dy tentime të kontrabandës, ku janë kapur mallra ushqimore në rastin e parë dhe vaj hidraulik në rastin e dytë.
Sipas Doganës në Zveçan njësitet antikontrabandë kanë ndaluar një veturë të dyshimte që ishte duke transportuar mallra të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale.
“Me këtë rast është hasur në mallra ushqimore të kontrabanduara, respektivisht çokollata në sasi rreth 60 pako”, thuhet nga Dogana.
Ndërsa në rajonin e Prishtinës, njësitetet e Doganës kanë identifikuar një automjet të dyshimtë që po transportonte 450 litra vaj hidraulik me origjinë nga Irani e që ishte kontrabanduar në Kosovë.
“Mallrat janë sekuestruar dhe ndaj palëve është iniciuar procedurat kundërvajtese doganore”, thuhet nga Dogana.








