Parlamenti turk ka themeluar të martën një komision për mbikëqyrjen e çarmatimit të grupit të ndaluar militant, Partia Punëtore Kurde (PKK), pas thirrjes së liderit të grupit të tij të burgosur, Abdullah Ocalan, për t’i dhënë fund kryengritjes, raporton Reuters.
Tridhjetë militantë të PKK-së i kanë djegur armët e tyre në një ceremoni në veri të Irakut muajin e kaluar, në hapin e parë simbolik drejt fundit të luftës katërdekadëshe me Turqinë, ku janë vrarë më shumë se 40 mijë persona.
Kryeparlamentari Numan Kurtulmus ka deklaruar para deputetëve në hapje të seancës së parë se përgjegjësitë e komisionit do të përfshijnë mbikëqyrjen e procesit të dorëzimit të armëve.
“Me çarmatimin e plotë, përgatitja e rregullave legale që do të bëjë të përhershme paqen, është në mesin e detyrave të komisionit”, ka deklaruar Kurtulmus.
PKK-ja, listuar si grup terrorist prej Turqisë dhe aleatëve të saj perëndimorë, nisi kryengritjen e saj më 1984. Në maj vendosi që të shpërbëhej, çarmatosej dhe t’i jepte fund luftës së saj të armatosur, duke theksuar se tashmë kishte “kompletuar misionin e saj historik”.
Qëllimet e saj ndryshuar përgjatë dekadave nga kërkesa për shtet të pavarur në më shumë të drejta dhe autonomi të kufizuar kurde në Turqinë juglindore, të populluar kryesish më kurdë.
Pos një partie, të gjitha grupet e tjera parlamentare kan ëpërfaqësues në komision, duke shënuar herën e parë që shumë parti të mblidhen formalisht në parlament për adresimin e procesit të paqes.
Partia më e madhe opozitare, CHP, i është bashkuar komisionit me kushtin që ai të adresojë hapat e demokratizimit, derisa partia nacionaliste opozitare, IYI ka refuzuar të marrë pjesë, duke theksuar se komisioni do të legjitimojë kërkesat e PKK-së.
Vendimi i PKK-së për shpërbërje erdhi pas një thirrje publike prej liderit të burgosur kaherë, Ocalan, nxitur prej një propozimi të befasishëm në tetor nga aleati ultrnacionalist i Erdoganit, Devlet Bahçeli.
Partia pro-kurde, DEM, e treta në Turqi, ka luajtur rol kyç në lehtësimin e thirrjes së Ocalanit për paqe.
“Paqja e përhershme mund të jetësohet nëpërmjet një procesi të zgjidhjes demokratike bazuar në themelet politike gjithëpërfshirëse dhe legjitime”, ka theksuar Gulistan Kocygit, anëtare DEM-it në komision.
Ajo ka thënë se DEM kërkon të drejta kolektive për kurdët, përfshirë të drejtën për arsim në gjuhën amëtare dhe hapa për fuqizimin e qeverisjes lokale.
Meral Danis Bastas e DEM-it ka thënë se duhet të merren hapa për rishikimin e dënimit të rënduar me burgim të përjetshëm të Ocalanit.


