Policia e Kosovës njofton se gjatë të shtunës, janë shënuar tri aksidente me fatalitet në Kosovë, respektivisht një në Gjakovë, një në Lipjan dhe një tjetër në Gjilan.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se njëri aksident ka ndodhur në vendin e quajtur Fshaj të Gjakovës, rreth orës 13:10, ku si pasojë e aksidentit mes një veture dhe një kamioni, kanë pësuar lëndime trupore i dyshuari dhe tre viktima, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Gjakovës.
Bëhet e ditur se mjekët kanë konfirmuar se njëri nga ta ka qenë pa shenja jete.
“I dyshuari vazhdon trajtimin mjekësor në spitalin e Gjakovës ndërsa dy viktimat tjera pas tretmanit mjekësor lirohen për në shtëpi. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Kurse, aksidenti tjetër me fatalitet thuhet se ka ndodhur të shtunën rreth orës 14:20, në autostradën në Lipjan, mes dy kamionëve, njëri me targa vendore dhe tjetri me targa të Shqipërisë.
“Si pasojë përveç dëmeve materiale lëndim vdekjeprurës ka pësuar viktima mashkull shtetas i Shqipërisë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, njofton policia.
Ndërsa, për aksidentin e tretë, thuhet se në rrugën qarkore në Gjilan, një person nga pakujdesia duke drejtuar automjetin e tij, ka goditur për vdekje një këmbësor.
“Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia.


