Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një tjetër vrasje ka ndodhur në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “Ali Vitia”, në kryeqytet.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka theksuar se dyshohet se viktima u ther me thikë.
“Sot rreth orës 22:00 policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor, në rrugën “Ali Vitia”, në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit ( i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, ka thënë Ahmeti.
Kjo është vrasja e dytë për këtë mbrëmje në Prishtinë, ku më herët ë grua është vrarë këtë të mërkurë në rrugën “Dalip Alshiqi”.
Vrasjen e ka konfirmuar Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se gruaja është gjetur pa shenja jete në një veturë.
Sipas informatave që posedon redaksia, dyshohet se fillimisht Murseli, i cili ishte me familje në veturë, ishin cak i një grabitjeje, ku pas të shtënave nga grabitësit mbeti e vrarë gruaja e tij. Dukagjini ka mësuar se e ndjera është gruaja e Naim Murselit, ish-këshilltarit të ish-presidentit, Behgjet Pacolli.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjentë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasur një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.