Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të ndërmarrë masa të përkohshme për shkak të kushteve të vështira të punës në Pallatin e Drejtësisë, të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe mungesa e klimatizimit. Masat do të jenë në fuqi deri më 25 korrik 2025, me mundësi rishikimi.
Në një njoftim zyrtar, Gjykata bën të ditur se ka marrë vendim që orari i punës të reduktohet nga ora 08:00 deri në 14:00. Kjo është bërë në bazë të vendimit të KGJK-së Nr. 01/802 të datës 27 qershor 2025 dhe pas takimit të ftuar nga kryetarja e gjykatës, Albina Shabani Rama, me udhëheqës të departamenteve dhe administratës.
“Shërbimet administrative do të mbeten funksionale edhe pas orës 14:00, vetëm me staf të kufizuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës,” thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjykata sqaroi se seancat gjyqësore të caktuara pas orës 14:00 do të zhvillohen sipas planit, përveç kur “gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet e punës nuk e lejojnë mbajtjen e tyre.”
Një lehtësim është paraparë edhe për stafin që përballet me sëmundje kronike.
“Stafi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilët janë të diagnostifikuar me sëmundje kronike, lirohen nga puna nga ora 12:00.”
Gjykata bën të ditur se këto masa janë të përkohshme dhe do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke mundësuar zgjatjen apo ndryshimin e tyre varësisht nga zhvillimet klimatike.
Në fund të njoftimit, theksohet se vendimi është marrë “me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të stafit dhe palëve pjesëmarrëse në procedurë.”.