Ka përfunduar e pamja për babanë e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Me këtë rast, Murati ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke përkujtuar jetën dhe figurën e të atit.
“Sot u kry edhe e pamja,” shkruan ai në fillim të postimit, duke falënderuar familjarët, miqtë dhe kolegët që i qëndruan pranë në këto ditë zie.
Murati ndau rrëfime dhe kujtime të ndjera që u treguan gjatë ditëve të pames – nga sakrificat e të ndjerit në kohët e vështira ekonomike, kontributi i tij si mësimdhënës, integriteti në punë, deri te dashuria dhe respekti që gëzonte në rrethin familjar dhe shoqëror.
“Na treguan se përveçse e zotëroje mirë lëndën që ligjëroje, ti ishe edhe pedagog i mirë duke inkurajuar secilin të bëhej versioni më i mirë i vetes,” shkruan ai.
Në fund, Murati i drejtohet me fjalë të ndjera të atit dhe nënës së ndjerë: “Ju duam, dhe do t’ju kujtojmë përherë! PS. Mos harro bani t’fala nanës kur e takon.”
Postimi është pritur me shumë komente ngushëllimi dhe mbështetje nga qytetarë e figura publike.