Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Ditën botërore kundër diabetit bën të ditur se është një sëmundje kronike metabolike që karakterizohet me nivele të larta të glukozës në gjak (sheqerit në gjak), e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave.
IKSHPK përmes një postim në rrjetin social “Facebook” ka theksuar se tipi më i zakonshëm i diabetit është i tipit 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.
“Në tri dekadat e fundit prevalenca e diabetit të tipit 2 është rritur në mënyrë dramatike në të gjitha vendet pa dallim nga niveli i të ardhurave. Më shumë se 500 milionë njerëz aktualisht jetojnë me diabet në të gjithë botën”, thuhet më tej.
IKSHPK po ashtu njofton se qasja në insulinë dhe kujdesin për diabetin mbetet sfidë për shumë njerëz, gjersa mbikëqyrja e sheqerit-glukozës në gjak është një komponent themelor i kujdesit për diabetin.
Në kuadër të masave për parandalimin e diabetit, Instituti thekson se diabeti i tipi 2 në 50 për qind të rasteve mund të parandalohet.
Po ashtu kryerja e kontrolleve të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e të rrezikuarve, ndërkaq persona tjerë 1 herë në 3 vjet.
Po ashtu rekomandohet kontrolli i rregullt i tensionit të gjakut, mbajtja e peshës nën kontroll, aktivitet fizik, përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra etj.
Në vitin 2007 Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën 61/225 duke përcaktuar 14 Nëntorin si Ditën Botërore të Diabetit. Rezoluta inkurajoi gjithashtu shtetet anëtare të zhvillojnë politika kombëtare për parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e diabetit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor.