Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e gjashtëmbëdhjetë ditë po vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara.
Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.
Policia e Kosovës ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë – Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.
Grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada që nga 10 dhjetori, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Ai u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
E grupet kriminale po dje kanë sulmuar me mjete shpërthyese një ekip të KFOR-it në Zubin-Potok.
Edhe vetë KFOR-i ka thënë se afër patrullës së tij janë dëgjuar dhe parë të shtëna.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se “lojërat e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë”.
Institucionet e Kosovës kanë thënë se janë në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave, e në anën tjetër KFOR-i ka thënë se ato duhet të hiqen me dialog.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur”.