Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Selman Sokoli, ka dhënë detaje të reja lidhur me incidentin në qendrën tregtare Abi Plus në Prizren, ku ai pretendon se është sulmuar fizikisht nga punëtorë të sigurimit.
Sipas deklarimeve të Sokolit, arsyeja e konfliktit ka qenë insistimi i tij për të marrë kuponin fiskal, pasi kishte blerë gjësende në vlerë rreth 10 euro. Ai ka pohuar se zënka ka nisur pasi, sipas tij, kuponi fiskal nuk i është dhënë nga shitësi, gjë për të cilën ai ka këmbëngulur.
Sokoli ka deklaruar se pas përshkallëzimit të situatës me punëtorët e sigurimit, ata e kanë futur në një dhomë brenda qendrës tregtare, ku pretendon se është kapur nga fyti.
Lidhur me rastin, dy punëtorë të sigurimit të Abi Plus tashmë janë arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga menaxhmenti i qendrës tregtare Abi Plus lidhur me pretendimet e bëra nga Sokoli.


