Sokol Halili i dyshuar për vrasjen e gruas 35- vjeçare, e ka vrarë veten në shtëpinë e familjes së tij, në fshatin Davidovc të Shtimes.
Njësitet e Policisë së Kosovës kanë arritur që t’i bien në gjurmë personit që vrau gruan shtatzënë në oborrin e QKUK-së.
“I dyshuari për vrasjen është lokalizuar nga njësitet policore, por deri në momentin e futjes së policëve në shtëpi për arrestim ka bërë vetëvrasje”, thanë burimet e KosovaNews brenda Policisë së Kosovës.
Vetëvrasjen e tij e ka konfirmuar më vonë edhe ministri i PUnëve të Brendshme, Xhelal Svecla i cili tha se përkundër tentativës së policisë për ta bindur për vetedorëzim, ai e vrau veten.
“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, tha Sveçla.
Ministri Sveçla theksoi se Policia e Kosovës si dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë dhe vetëvrasjes së dorasit.
Halili ishte që nga e mërkura në arrati, pasi e kishte vrarë bashkëshorten e tij, e cila ishte shtatzënë. Krimin, ai e kreu në oborrin e QKUK-së, pranë Gjinekologjisë, ku e ndjera priste të kryente lindjen e foshnjës.