Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, tre persona të dyshuar me inicialet A. Ç.,K.Z., dhe R.L., zyrtarë të postës – dega në Kaçanik, për shkak të dyshimit të veprës penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, nga data 01.12.2022 deri më datën e inspektimit 20.12.2022, në Kaçanik, në cilësinë e personave zyrtarë – si postierë përgjegjës për shpërndarjen e kartelave të Raiffeisen Bank, duke mos respektuar kriteret dhe rregullat për dhënien e kartelave, kanë nënshkruar në fletëkthesat se kinse konsumatorët kanë pranuar kartelat bankare edhe pse të njëjtat nuk janë shpërndarë.
Lexo po ashtu:
Pas verifikimit nga ana e Inspeksionit rezultojnë se janë falsifikuar njëzet e tetë fletë-kthime prej tyre, me çka dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në anën tjetër, edhe Policia e Kosovës ka ndarë informata për opinionin publik lidhur me rastin, duke thënë se kjo vepër penale ka dëmtuar Postën e Kosovës.
“Në këtë mënyrë personat e dyshuar të lartcekur me iniciale- Zyrtarë të Postës së Kosovës, kanë rrezikuar kontratën mes Postës së Kosovës dhe një kompanie, me pasoja të mëdha financiare, në dëm të Postës së Kosovës” thuhet mes të tjerash në komunikatën e Policisë.