Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe asaj të Mitrovicës ka ngritur kallëzim penal kundër pronarit të kompanisë “Beni Dona Plast” Ragip Mustafa i njohur ndryshe si Ragip “Zhaba” i cili njëherit është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Kompania “Beni Dona Plast” me pronar Ragip Mustafën i cili njihet si njeri i afërt me Agim Veliun dhe ish-Kryeministrin Isa Mustafa është njëra ndër kompanitë më të mëdha që ka përfituar tender publik me dhjetëra miliona euro që nga paslufta.

Lajmin për KosovaNews e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Sipas burimeve të KosovaNews në muajin Dhjetor të vitit të kaluar policia kishte ngritur kallëzim penal kundër pronarit të kompanisë “Beni Dona Plast” Ragip Mustafa. Për këtë redaksia e KosovaNews ka dërguar pyetje javën e kaluar në Policinë e Kosovës , ndërsa në përgjigjen e policisë është konfirmuar që Policia e Krimeve Ekonomike Njesia Rajonale Jug në Mitrovicë ka ngritur kallëzim penal ndaj pronarit të kompanisë Ragip Mustafa:
“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se, pas veprimeve hetimore rasti është dërguar në Prokurori. Me respekt, ZIMP” thuhet në përgjigjen e policisë.
KosovaNews ka siguruar kallëzimin penal prej 7 faqesh nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ne Mitrovice Jug, bërë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Në këtë kallëzim Ragip Mustafa akuzohet për dy vepra penale “Prodhimi dhe vënia ne qarkullim e artikujve te dëmshëm ushqimor” i sanksionuar nga neni 261 dhe Keqpërdorimni dhe Mashtrim ne Prokurimin Publik nga neni 415 te KPRK”
Ne fillim të këtij kallëzimi penal Ragip Mustafa përshkruhet si person me të kaluar krimiale ku mbi të rëndojnë 5 raste të dyshimta.
Njësia për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ne Mitrovice Jug, me datën 07.09.2022 ka pranuar rastin me nr. 2022-BI-105 nga Sektori i Hetimeve Rajonale DRPMitrovice Jug lidhur me veprën penale “Prodhimi dhe venia ne qarkullim e artikujve tedëmshëm ushqimor” te raportuar me datën 06.09.2022 nga NJSI-te Policise se Kosoves në kampin Belveder ne Mitrovice Jug.
Sipas raportimeve të zyrtarëve të NJesisë Speciale Intervenuese, kompania “Beni DonaPlast ” e cila ka kontratë të nënshkruar me Policinë e Kosovës për “Furnizim me Ushqim për PK ” me datën 04 dhe 05 09.2022, kishte furnizuar me ushqim të thatë gjegjësisht me konserva te peshkut 8X2 racionete ushqimeve sipas pakos nr. 13 me afat te skaduar te cilës i kishte skaduar afati me datën12.08.2022. Inspektorati i Agjencisë se Ushqimit (AUV) me datën 06.09.2022, pas ftesës se policisë kishte dalë në vendin e ngjarjes në kampin Belveder dhe kishin inspektuar racionet e ushqimit më saktë 16 konserva te peshkut prej 125 gram, me afat te skaduar me datën 12.08.2022 te cilat ikishte ndaluar për konsum te mëtejme, dhe po ashtu kishte marre ne cilësinë e provave te mëtejme dy racione te ushqimeve te nxehte për analize.
Në kohën kur Policia e Kosovës po përballej me situatë të tensionuar në veri, nga grupet kriminale serbe, kompanisë Beni Dona i sekuestrohen me mijëra copë jogurt, peshk, krem e qumësht me afat të skaduar, në kampin e Njesisë Speciale “Belvedere” në Mitrovicë

Në kallëzimin penal të Krimeve Ekonomike thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se kompania “Beni DonaPlast “SHPK me pronar Ragip Mustafa, me daten 04-05.09.2022, ka vënë në qarkullim artikuj te dëmshëm ushqimor pas datës së skadimit. Duke e ditur se janë të dëmshme për shëndetin e njeriut ne atë menyre qe pa u bërë kontrolli i nevojshëm i ushqimeve ka furnizuar dhe më pas ka shpërndarë te pjesëtarët e Policise së Kosovës të vendosur në kampin Belveder-Mitrovice nje numer tepër të madh të konservave ushqimore me afat të skaduar, ku gjatë inspektimit të kryer nga Inspektorët e AUV ne depon e kampit janë hasur dhe asgjësuar 1220 copë jogurt Drena me peshë 185g , 132 jogurt Drena me peshe 330 gram, 1144 copë „CremVivis”” me peshe 100 gram. Për të gjitha këto policia e Kosovës kishte filluar hetime duke mbledhur prova dhe fakte por sikur të mos mjaftonte kjo kompania “Beni Dona” kishte përsëritur vepren e njejtë duke furnizuar me jogurt të skaduar Policinë e Kosovës. Por gjatë kësaj kohe kompania “Beni Dona” kishte kryer tjetër vepër penale duke mos ju përmbajtur kontratës dhe duke mashtruar prokurimin publik.
“I dyshuari me datën 12.12.2022. prape e përsëritë veprën penale furnizon pjesëtarët e PK-se sipas kontrates me produkte te qumështit Jogurt ne total prej 135 copë “MU” me afat te skadimit 11.12.2022 te cilat pas kontrollit janë asgjësuar nga Inspektorët e AUV. Kjo kompani po ashtu dyshohet se nuk ka përmbushur specifikat e detyrueshme për te siguruar racionet e ushqimit sipas pakos 5,te parapara me kushtet e kontratës„Furnizim me ushqime për PK” andaj bazuar ne dyshimet e lartcekura i lartshënuari RagipMustafa si pronar i kompanise “Beni DonaPlast” dyshohet se ka kryer vepër penale: “Prodhimi dhe vënia ne qarkullim e artikujve te demshem ushqimore” i sanksionuar nganeni 261 dhe Keqpërdorimni dhe Mashtrim ne Prokurimin Publik nga neni 415 te KPRK” thuhet në kallëzimin penal të policisë.
Gjetje skandaloze nga raportet e AVUK-t, Inspektoratit Sanitar, dhe IKSHPK. Policët e Njesisë Speciale në Veri helmohen nga konsumimi i ushqimit të kompanisë “Beni Dona” kishin simptoma të fryerjes së barkut dhe barkqitje nuk mund të bënin kontrolle mjekësore për shkak të situatës së tensionuar. Mostrat e mishit dërgohen për analiza në IKSHPK dhe dalin pozitive me përmbajtje të bakterieve të rrezikshme.

Në kallëzimin penal të policisë thuhet se me dhjetëra policë të Njësisë Speciale kishin paraqitur ankesa në ushqim për shkak të shijes së keqe ata kanë paraqitur shqetësimet e tyre për produktet me ushqim pa afat dhe jo cilësore te cilat i kane konsideruar se rrezikojnë shëndetin e tyre dhe për ketë kishin vendosur te mos porositej me tutje ushqim për ta pasi kishin humbur edhe besimin ne ushqimin e furnizuar nga kompania ne fjale.
“Nga ushqimi i konsumuar prej zyrtareve te siper cekur ishin ndare tri racione me ushqim për ruajtje ne frigorifer dhe dërgim ne IKSHPK për analiza te mëtejmë mikrobiologjike.
Me ketë rast këto mostra nga Inspektoret e AUV-it, Fatos Haziri dhe Musa Dibrani dhe mjeku nga TKSHPK-ja ne Mitrovice DR. Shaqir Ibrahimi ne prezencën e policisë kane tërhequr mostrat te cilat kane qene ne frigorifer 1.Oriz me mish te bardhe (sasia 200 gram ), Pasul me mish gjedhi 200 gram dhe uji mineral natyral 500 ml, 1 shishe te plastikes dhe pas evidentimit me proces verbal i kane derguar për analiza te metejme mikrobiologjike ne IKSHPK ne Prishtine.
Me datën 20.12.2022 nga Inspektoret e AUV janë pranuar raportet e analizave te kryer nga IKSHPK lidhur me mostrat e pranuara te datës 13.12,2022 dhe sipas te dhënave ne raportin e ekzaminimit Lush 2-519 Inspektoratit Sanitar Kosovës mostrën e testuar “Oriz me mish te bardhë” data e testimit 13.12.2022 dhe datë e hartimit te raportit te testimit është konstatuar se përmban baktere “Salmonella spp me njësi matëse 25 gr dhe ka dalë pozitive” thuhet në kallëzimin penal të policisë.

Salmonella është bakter i rrezikshëm e cila prek organet e tretjes duke u shumuar zhvilluar në to duke dhëne çrregullime të tretjes që njihen si gastroenteritis që shkaktojnë humbje të lëngjeve dhe barkqitje.
Të gjitha këto fakte janë deponuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë që nga muaji Dhjetor i vitit të kaluar por ende kjo prokurori nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për të proceduar më tutje rastin.
Ragip Mustafa ka qenë i akuzuar disa herë nga organet ndjekëse në Kosovë për mashtrim dhe manipulim në tenderët publik por ai asnjëherë nuk është i dënuar edhe përkundër fakteve dhe shkeljeve të shumta që ka bërë përgjat viteve.
Rasti më eklatant është ai i vitit 2020 kur kompania “Beni Dona Plast” kishte fituar tender me certifikata të falsifikuara të kompanisë gjermane në FSK, në shumë prej 8.4 milion eurove, mbi 1.2 milion euro më shtrenjtë se operatori tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë për këtë rast dhe pas shumë zvarritjeve Ragip “Zhaba” ishte shpallur i pafajshëm.
Përkundër kësaj javën e kaluar Ministria e Mbrojtjes e kishte shpërblyer me tender “Beni Donen” në shumën prej 2 milion eurove për vazhdimin e kontratës më ushqim për ushtarët e FSK-së edhe pse disa herë është raportuar nëpër media që në të kaluarën janë helmuar ushtarët e FSK-së nga konsumimi i ushqimit që shërbente kompania e Ragip Mustafës.

